Aktivitet ndërkombëtar mbi menaxhimin e kimikateve zhvilluar në Tiranë, 23-28 Prill 2012

KEMI- Agjensia Suedeze e Kimikateve ka organizuar prej disa vitesh një Program Ndërkombëtar Trajnimi me temë “Strategji të menaxhimit të kimikateve”, program i cili mbështetet nga SIDA- Agjensia Suedeze Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Në një perspektivë afatgjatë ky program trajnimi do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të vendeve pjesëmarrëse mbi menaxhimin e kimikateve. Vendi ynë ka marrë pjesë në tre programe të njëpasnjëshme, në vitet 2009-2012 me 12 përfaqësues si nga organet qendrore, institutet, universitetet, shoqatat, ashtu edhe nga pushteti lokal.

Objektivat e këtij programi janë të sigurojnë informacion bazë mbi menaxhimin e kimikateve në një vend, për të ndihmuar në zhvillimin e strategjive kombëtare mbi menaxhimin e kimikateve. Programi zhvillohet në dy pjesë. Në pjesën e parë, që organizohet në Sundbyberg të Suedisë, merren elementet bazë informues mbi menaxhimin dhe sigurinë e kimikateve
Disa nga temat që trajtohen në fazën e parë janë nevoja për menaxhimin e kimikateve, elementet bazë të këtij menaxhimi, konventat ndërkombëtare dhe legjislacionet mbi kimikatet, ndarja e përgjegjësive midis qeverisë dhe ndërmarrjeve private në tregti dhe industri, përdorimi dhe ekspozimi ndaj kimikateve, sisteme që sigurojnë njohuri mbi vetitë e kimikateve, sistemet e klasifikimit, etiketimit e paketimit të kimikateve, sisteme dhe rregulla për transferimin dhe shkëmbimin e njohurive, vlerësimi, menaxhimi dhe reduktimi i rrezikut ndaj kimikateve, inspektimi dhe detyrimi etj.
Çdo pjesëmarrës në trajnim duhet të paraqesë një projekt-ide, ku të specifikojë problemet dhe nevojat që ka vendi i tij në lidhje me menaxhimin e kimikateve. Këto probleme paraqiten si objektiva të projektit. Stafi i KEMI supervizon zhvillimin e projekt- propozimeve.
Faza e dytë e trajnimit organizohet në njërin nga vendet pjesëmarrëse në trajnim. Në këtë fazë paraqiten punimet që janë kryer nga faza e parë deri në fazën e dytë, në një hark kohor prej 6-7 muajsh. Cdo pjesëmarrës duhet të paraqesë progresin e projektit përkatës. Faza respektive për pjesëmarrësit e vitit 2011 u krye në Shqipëri, në periudhën 23-28 Prill 2012. Në këtë aktivitet morën pjesë 17 pjesëmarrës nga Kosova, Serbia, Bosnja, Ukraina, Moldavia, Taxhikistani dhe Shqipëria. Gjatë javës së qëndrimit në Tiranë, pjesëmarrësit patën rastin të vizitojnë ndërmarrjen e riciklimit të plastikës Everest SA, qytetin e Tiranës, si edhe disa atraksione turistike, si amfiteatri i Durrësit, Mali i Dajtit, plazhi i Durrësit dhe plazhi i Golemit.
Pergatiti: E. Rogozi
Rishikoi: L.Tafaj